http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Lazarati është gdhirë i qetë sot pa krisma armësh ndërsa ka marrë fund beteja 5 ditore e shtetit me trafikantët e drogës dhe grupeve kriminale që qëlluan me armë ndaj policisë gjatë operacionit të saj për asgjësimin e parcelave me lëndë narkotike në këtë fshat. Këto janë pamjet e marra sot herët në mëngjes në rrugët e këtij fshati, ku duket qartë qetësia që mbizotëron atje si dhe prezenca e shtetit. Zona të ndryshme të fshatit janë mbuluar nga tymi i krijuar si pasojë e asgjësimit të kanabisit, ndërsa që prej mëngjesit policia ka rifilluar veprimet në të gjithë Komunën për identifikimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe më pas asgjësimin e tyre. Në Gjirokastër ka mbërritur pas mesditës ministri i brendshëm Sajmir Tahiri ndërsa që në mëngjes në Lazarat ishte kreu i policisë, Artan Didi, i cili ka deklaruar se prokuroria nuk po i përgjigjet punës së policisë në Lazarat. Por prokuroria në një njoftim për mediat tha se në Gjirokastër gjendet prokurori i gatshëm dhe të gjithë oficerët e policisë gjyqësore ndërsa sot janë nisur për në këtë zonë edhe një grup drejtuesish nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.