http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Policia dhe forcat speciale në Lazarat janë futur në ditën e pestë të betejës me grupet kriminale që kundërshtojnë me armë operacionin për asgjësimin e parcelave me hashash si dhe goditjen e trafikanteve. Sot këto grupe kanë qëlluar sërish mbi policinë, ndërsa forcat e Policisë së Shtetit kanë depërtuar edhe më në thellësi të fshatit duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre si dhe në tokat e tjera të komunës. Më shumë se 80 shtëpi dhe oborret e tyre janë kontrolluar ndërsa fshati problematik ka rreth 500 shtëpi. Strukturat e policisë kanë avancuar disa qindra metra në thellësi të fshatit, ndërsa Lazarati është i shtrirë në një kodër që shkon deri në 4 kilometër thellësi. Pavarësisht vështirësisë së operacionit për shkak të sulmit me armë nga grupet kriminale të grumbulluara në disa banesa, policia duket e vendosur për të përmbushur misionin e saj për të cilin janë angazhuar më shumë se 800 forca si dhe 60 automjete. Policia e shtetit njofton se gjatë veprimeve të tyre në terren forcat policore janë të pajisura me mjete të posaçme për veprime kundër grupeve dhe bandave të armatosura dhe armatim i rëndë për t'iu përgjigjur reagimit me armë të grupit kriminal. Policia e Shtetit edhe sot u bën thirrje banorëve të fshatit Lazarat të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të asistojnë veprimet procedurale të Policisë së Shtetit, pasi do të vijojë me vendosmëri operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve deri në përmbushjen e plotë të objektivave. Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 13 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone. Që nga dita e parë e këtij operacioni në Lazarat janë asgjësuar 80 mijë rrënjë bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 12 ton e 800 kg kanabis sativa. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë.