http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Reshjet e pazakonta të shiut për këtë stinë kanë rikthyer pamjet e zakonshme të vjeshtës dhe të dimrit në disa zona të Kurbinit. Siç shihet nga pamjet, dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë mbuluar nga uji ndërsa një numër banesash janë rrethuar nga uji. Intensiteti i lartë i shiut gjatë 24 orëve të fundit ka prishur argjinaturën në fshatin Mali i Bardhë në rrethin e Kurbinit dhe për pasojë uji ka vërshuar në arat e mbjella me kulturat bujqësore, duke i dëmtuar ato. Sipas kryetarit të komunës Milot, Behar Haxhiu, përmbytjet kanë prekur edhe një numër bagëtish ndërsa në bashkëpunim me autoritetet e tjera vendore të prefekturës po punohet për minimizimin e pasojave të përmbytjes së papritur. Një situatë e ngjashme është dhe në disa fshatra të tjerë si në Gjorm, Sanxhak, Zhej dhe në zonën e Fushë Kuqes, ku janë përmbytur dhjetëra hektarë tokë. Ndërkohë, aksi i rrugës nacionale Laç-Mamurras ka pasur probleme që në orët e para të ditës, pasi uji ka mbuluar një pjesë të gjatësisë së saj.