Terror në Durrës, vritet biznesmeni i ndërtimit - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 11

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Qetësia e kësaj fundjave në plazhin e Durrësit u prish këtë të shtunë paradite, kur nga një makinë që po udhëtonte në afërsi të sektorit Hekurudha në aksin Plepa -- Ura e Dajlanit është qëlluar për vdekje me breshëri automatiku, biznesmeni I ndërtimit, Kujtim Dyrmishi. Viktima sapo ishte futur në mjetin e tij kur u godit nga tre persona të maskuar nga një makinë benz me targa kosovare. Ngjarja e rëndë ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek banorët dhe pushuesit në këtë zonë që kërkojnë marrjen e masave shtesë dhe përforcimin e kontrolleve nga ana e policisë. Viktima ka marrë pesë plumba dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. 49-vjeçari Dyrmishi që banonte prej disa kohësh në Durrës ishte ortak në fushën e ndërtimeve me Xhemal Çelën, i cili u vra në janar të këtij viti me anë të një shpërthimi me tritol në makinën e tij. Policia nuk ka dhënë ende zyrtarisht motivet e kësaj vrasje apo identitetin e autorëve, por ka gjetur makinën e tyre të braktisur në afërsi të mbikalimit të Shna Vlashit. Brenda saj janë gjetur edhe tre armë kallashnikov ndërsa po kryhet edhe ekspertiza e saj e plotë nga policia. Policia ka shoqëruar disa banorë të zonës, dëshmitarë në vendngjarje për ti pyetur me detaje rreth asaj që kanë parë. Për më shumë se një orë, forca të shumta policie kontrolluan zonën e plazhit dhe bllokuan njërin aks të rrugës për në Plepa deri në përfundimin e ekspertizës së vendit të ngjarjes.