Operacioni antidrogë, bllokohet sasi e madhe kokaine - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 4

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një super operacion antidroge i zhvilluar njëkohësit në Shqipëri dhe Kosovë ka  përfunduar me sekuestrimin e 75 kilogramëve droga të forta, 100 kileve marihuane si dhe arrestimin e disa personave. Lënda narkotike është heroinë dhe kokainë, numri i të arrestuarve deri tani ka shkuar në 6, ndërsa një është shpallur në kërkim. Gjatë ditës policia goditi bazën e trafikanteve, ketë shtëpi vile katërkatëshe në zonën e Fushë Kuqes në Mamurras. Agjentet sekuestruan brenda saj rreth 18 kilogramë heroine, 100 kilogramë marijuanë, 20 bidona me rreth 850 litra të një lënde që shërbente si përzierës për kokainën. Hetuesit zbuluan edhe një kasafortë të vendosur në një nga muret e shtëpisë, brenda së cilës u gjet një armë si dhe drogë. Grupi kriminal mbante brenda vilës edhe 12 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm, si pistoleta, automatikë, snajper, fishekë e granata. U gjetën gjithashtu 143 mijë euro si dhe disa sende me vlere si ora, e bizhuteri, ndërsa u bllokuan dhe disa automjete, mes të cilave një BMV e blinduar. Shtëpia ku ndodhej droga është në pronësi të Kujtim Çelës, i cili është arrestuar. Sipas policisë, ai është vëllai i Gëzim Çelës, i njohur si një ndër baronët e drogës, aktualisht i ekstraduar në Itali ku vuan dënimin me burg për trafik ndërkombëtar droge. Burime të policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Renda sqarojnë se trafikantet ishin nën survejim prej një jave, në të dy anët e kufirit. Goditja në Kosovë është bërë thuajse në të njëjtën kohë. Në laboratorin e fshehte të drogës në Prishtinë u sekuestruan 50 kilogramë kokainë. U arrestuan tre persona si dhe një grua e quajtur V.Tufina për llogari të palës shqiptare. Në fakt, operacioni i drejtuar nga Prokuroria e Krimeve të Renda dhe policia, nisi në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës me arrestimin në pikën e kalimit kufitar të Morinit, të korrierit R.Hysolli, me 7 kilogramë kokainë. Ai po vinte nga Kosova drejt Shqipërisë. Hetuesit dyshojnë se rrjeti ka shumë persona të tjerë të përfshirë. Sipas burimeve, rrjeti siguronte kokainën dhe heroinën turke nga Kosova, ndërsa grumbullonte marijuanën e kultivuar në Shqipëri, të cilat i trafikonte kryesisht në vendet e Bashkimit Europian. Ka patur edhe raste kur organizata kriminale blinte droga të rënda në Kosovë dhe në shkëmbim dërgonte marijuanë. Sipas policisë, grupi i goditur orët e fundit është një ndër më të fuqishmit në vend, qe dyshohet se drejtohej nga Gezim Çela.