http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kosova shënon sot 15-vjetorin e çlirimit nga represioni serb. Më 12 qershor të vitit 1999 zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe nga Kosova, duke i dhënë fund kështu regjimit gjakatar të Sllobodan Milosheviçit dhe ndaj popullit të Kosovës. Fillimisht trupat e NATO-së numëronin 50 mijë ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të kësaj aleance dhe vendeve aleate. Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Ajo është arritur vetëm pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t'i dhënë fund luftës në Kosovë. Si pasojë e luftës në Kosovë, mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth pesë mijë të tjerë janë zhdukur dhe mbi një milion janë shpërngulur. Dëmet materiale po ashtu kanë qenë masive.