http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Situata politike në Kosovë ka marrë një kthesë të papritur dy ditë pas zgjedhjeve. Pas disa takimesh të krerëve të tri partitë, LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, palët arritën marrëveshje për të krijuar qeverinë e re, duke lënë në opozitë Partinë Demokratike të Hashim Thaçit, e cila si forcë politike, mori numrin më të madh të votave. Pakti me këtyre partive dhe ndarja e posteve, u komunikua për mediat nga anëtari i kryesisë së LDK-së, Agim Veliu. Menjëherë pas marrëveshjes, edhe njeriu që është propozuar nga ky koalicion për kryeministër, Ramush Haradinaj, publikoi një komunikatë për mediat. "Qeveria e kthimit të shpresës do të fokusohet në zhvillim ekonomik, krijim të vendeve të punës, luftë të pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria do të punojë me ngulm për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Ne, bashkërisht kemi vendosur që unë, Ramush Haradinaj, të jam i nominuari i përbashkët për kryeministër", shprehet zoti Haradinaj. Kryetari i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, tha për mediat në Prishtinë se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re. Ai deklaroi se programi i tri partive që arritën paktin, është më i miri dhe kjo do të bëjë që vendi të qeveriset mirë. Ndërkohë, në reagimin e parë nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, nënkryetari i kësaj force, Hajredin Kuçi e cilësoi anti-kushtetuese marrëveshjen. Sipas Kuçit, gjithçka bëhet si presion për PDK-në. Ndërsa kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, nuk e ka komentuar ende marrëveshjen e arritur mes forcave opozitare.