http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pas humbjes disa ditë më parë me Rumaninë në Zvicër, Shqipëria ka marrë një tjetër rezultat negativ në miqësoren e radhës këtë herë kundër Hungarisë. Në Budapest kuqezinjtë u munden 1-0 nga vendasit, ndërsa edhe këtë herë nuk i shpëtuan humbjes në minutat e fundit. Tekniku De Biasi edhe pse kishte bërë ndryshime të shumta në formacion me një skemë me tre sulme, skuadra nuk dha atë që pritej duke mos rrezikuar shumë në portën kundërshtare. Pas një pjese të parë pa gola edhe e dyta ishte në një ritëm mesatar ku këmbëngulja ishte më e madhe nga ana e Hungarisë. Atëherë kur pritej që takimi të mbyllej në barazim pa gola në minutën e 82, Kaçe i futur në pjesën e dytë shkaktoi një penallti i cili u kthye në gol nga Priskin. Skuadra e De Biasit u hodh menjëherë në sulm për barazimin, por pa e arritur atë me Agollin, Çikalleshin, Vajushin dhe Hysaj. Edhe njëherë përballë Hungarisë vendos historia, jo vetëm nuk arrijmë rezultat pozitiv, por edhe nuk shënojmë. Në katër ndeshjet e mëparshme kuqezinjtë kishin marrë një barazim në vitin 1948, ndërsa ishin mundur tre herë të tjera 0-12 në humbjen më të thellë në histori, 0-2 dhe 0-1 në sezonin 2008-2009 në kohen kur drejtohej nga holandezi Ari Han.