http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Tre faktorët kryesorë të cilët pengojnë të huajt të investojnë në Shqipëri janë niveli i lartë i informalitetit, procedurat burokratike në administratë dhe konkurrenca e pandershme. Në një studim që dhoma amerikane ka bërë me 101 pjesëtarë të saj rezulton se niveli i lartë i korrupsionit dhe klima e biznesit duhet të përmirësohen, përndryshe ekonomia shqiptare nuk do të ndiejë rimëkëmbje. Kryeministri Edi Rama në takim me përfaqësuesit e biznesit amerikan u tha atyre se tashmë situata ekonomike ka filluar të ndryshojë, por nga ana tjetër edhe bizneset duhet të bëjnë pjesën e tyre. Sipas tij, degët e ekonomisë të cilët sigurojnë më shumë fitim nuk janë më ato të para disa viteve, por sipërmarrësit duhet të kthejnë sytë te bujqësia, turizmi, nafta dhe energjia. Zv/presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, i tha ministrit të Zhvillimit Ekonomik se problemi i korrupsionit në Shqipëri ka penguar shumë biznese të huaja të vijnë dhe të investojë. Për Dhomën Amerikane, qeverisë i duhet akoma më shumë punë me administratën tatimore, madje i kujtuan qeverisë Rama, premtimin se nuk do të shihet më asnjë tatimor në derën e ndërmarrjeve VIP. Ajo që kërkojnë njëzëri bizneset është ulja e informalitetit në ekonomi, pasi kështu ata konkurrohen në mënyrë të pandershme nga ndërmarrje që nuk paguajnë taksa e rrjedhimisht shesin produkte më të lira. Por duke luftuar këtë, edhe qeveria do të arrijë të mbledhë më shumë të ardhura në buxhet dhe do të ketë mundësi të mbështesë ekonominë me politikën e taksave të ulëta.