http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në dështimin tetë vjeçar të ligjit kundër pirjes së duhanit në ambiente publike, pak vetë e dinë që në Tiranë ka edhe lokale që nuk kanë nevojë për ligj që të mos lejojnë të pish një cigare. I tillë është ky lokal, i cili që në hapje të tij dy dekada më parë ka ndaluar çdo klient që ka hyrë të ndezë qoftë edhe një cigare të vetme. Disa pronarë të tjerë lokalesh e kanë zgjidhur sipas mënyrës së vet. Duke qënë mes ankesave të familjareve që nuk duan të mbajnë fëmijët në tym dhe kërkesës së duhanpirësve kanë bërë një ndarje të ambientit. E vetmja gjë që arriti ligji, ishin tabelat fiktive ndalohet duhani. Për zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj, zbatimi i ligjit nuk ka ndodhur pasi asnjëherë nuk është marrë me seriozitet puna në terren. Amendimi i ligjit që pritet të kalojë në Parlament para verës, parashikon gjoba edhe për duhanpirësit përveçse për pronarët e lokalit. Nëse një njeri pi duhan në ambient publik gjobitet 5 mijë lekë të rinj, ndërsa po të jetë figurë e njohur për publikun me 10-fishin. Prova e parë e zbatueshmërisë së ligjit do të jenë komisionet ku do të kalojë për shqyrtim, pasi ligjvënësit do të votojnë për një ligj që i penalizon ata të parët dhe më shumë se të gjithë. Ndërsa zbatimin ose jo në terren do ta tregojë përveç vullnetit vetëm koha.