Avionë për zbulimin e drogës - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ne kulmin e debateve politike për trafikun e drogës dhe në kohen kur policia ka shpallur një faze të re të luftës kundër kultivimit të parcelave me hashash, vjen masa e parë konkrete. Duke nisur nga dita e hëne, një avion i posaçëm i vënë në dispozicion nga policia italiane, do të fluturojë mbi territorin shqiptar për të zbuluar nga ajri çdo sipërfaqe të mbjellë me kanabis sativa. Vendimi erdhi pas një takimi që zhvilluan këtë të premte drejtues të lartë të policisë shqiptare me homologët e policisë italiane. Palët rëne dakord për një plan të përbashkët veprimi i cili përmban mënyrën se si do të kontrollohet territori nga ajri, si do të ndërhyhet në tokë nga policia dhe forcat speciale dhe cilat do jenë masat e sigurisë gjatë operacioneve. Zyrtarë të policisë kanë bërë të ditur se pas fotografimit nga avioni, të dhënat do të dërgohen tek njësite policore sipas drejtorive përkatëse dhe në bazë të specifikave të territorit do të kryhet ndërhyrja për asgjësimin e kanabisit. Nuk dihet se nga do të filloje kontrolli i territorit me avionin italian, pasi plani po mbahet sekret për të shmangur çdo lloj reagimi nga trafikantët. Përvoja e viteve të fundit, sidomos në Lazarat, ka treguar se trafikantet kanë sulmuar me armë policinë, siç ishte rasti i gushtit të vitit 2004, kur u qellua një helikopter i misionit italian Interforce. Ndonëse Lazarati nuk do të përjashtohet nga kontrolli, burime të policisë thonë se ky fshat do te ketë një plan të posaçëm. Aktualisht të dhënat e marra në rrugë operative flasin se zonat më të frekuentuara për kultivimin e hashashit janë zona e lumit të Vlorës, Malësia e Madhe, Shkodra dhe Kruja.