Dita kundër homofobisë - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Nën masa të forta sigurie dhe nën një shi të rrëmbyeshëm, përfaqësues të komunitetit LGBT, me mbështetësit e tyre zhvilluan paradën kundër homofobisë. Rreth 40 aktivistë kanë dalë të marshojnë me flamurin shumëngjyrësh, por natyrisht ata deklarojnë se numri i atyre që nuk dalin në shesh është disa herë më i madh. Siç ishte paralajmëruar në orën 11:00 në sheshin "Nënë Tereza", pjesëtarët e këtij grupimi u nisen për në sheshin "Skënderbej" me biçikleta. Për t'u kthyer më pas në këmbë në pikënisje, duke mbajtur në duar flamurin që siç e quajtën ata, është flamur i diversitetit dhe duke lëshuar thirrje si "Ne jemi krenarë". Në fund të aktivitetit, vëmendjes së forcave të rendit u shpëtoi një person, i cili u afrua të debatonte me aktivistet pro LGBT. Në moment ishte edhe ndërhyrja e policisë që e larguan këtë person larg përfaqësuesve të komunitetit gej. Paralel me nisjen e paradës së LGBT-së, forumi mysliman i Shqipërisë kishte parashikuar antimiting në krah të paradës gej. Por policia e Tiranës nuk ka pranuar që ky tubim të zhvillohej, duke argumentuar që të dyja aktivitetet kanë kërkuar leje në të njëjtën ore dhe të njëjtin vend, prandaj forcat e rendit e kanë të pamundur të sigurojnë masat e nevojshme të sigurisë. Ky është viti i tretë radhazi që Aleanca Kundër Diskriminimit organizon në Tiranë një tubim të tillë në ditën ndërkombëtare kundër homofobisë. Megjithatë e sigurte është se ky komunitet po ia del që të bëjë më pak përshtypje duke u bërë pjese e normalitetit. Një vit më parë protesta e tyre ishte e qete me fare pak incidente. Ndërsa para 2 vitesh në ditën ndërkombëtare të homofobisë askush nuk guxoi të dalë hapur dhe me fytyrë zbuluar, por aktivitet u organizua larg shesheve dhe paradave.