Shqetësimi i kryeqytetit nga koshat e plehrave - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 3

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Këto pamje janë xhiruar pranë kopshtit numër 2 në Tiranë, në zonën e "21 Dhjetorit". Çdo ditë fëmijët e këtij kopshti përballen me këtë situate: Kazanë të tejmbushur me plehra që zbrazen nga personat që mbledhin mbetjet plastike e metalike. Era e keqe që shkaktojnë mbeturinat i pengon fëmijët të luajnë edhe në oborr. Kjo gjyshe, ashtu si dhe prindër të tjerë, është e shqetësuar për shëndetin e fëmijëve dhe kërkon zgjidhje. Në fakt kjo situatë zgjat më shumë se tre vjet. Drejtoresha e kopshtit sqaron se zgjidhjen e ka kërkuar tek institucionet kompetente, pranë bashkisë së kryeqytetit, por deri tani koshat kanë mbetur sërish përpara hyrjes së kopshtit.Por ky nuk është një rast i izoluar. Gjendja është gati kaotike në shume rrugë dhe lagje të Tiranës. Menaxhimi nga ana e Bashkisë duket i pamundur. Aktualisht vendosja e kazanëve bëhet pa asnjë lloj kriteri. Bizneset, të cilat refuzojnë prezencën e tyre, mund t'i zhvendosin ato pa problem ku të duan, kur në fakt duhet të respektohet disa rregulla për vendgrumbullimet. Distanca nga njëra --tjetra duhet të jetë rreth 250 metra dhe qëndrimi në vende ku garantohet shërbimi, si heqja, pastrimi dhe higjienizimi i mjedisit. Nga drejtoria e Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta në Bashki, thuhet se ka një studim i cili do të bëjë të mundur përmirësimin e këtij sektori. Por pretendimi nga ana e tyre është se zbatimi i projektit ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së buxhetit të Bashkisë.