Basha - Në shesh deri sa të largohet Edi Rama - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri duhet të japin dorëheqjen. Kjo është deklarata e kreut të opozitës, Lulzim Basha menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD. Basha u shpreh se faktet e reja mbi avionin e Divjakës tregojnë zhvillimin e një trafiku të vijueshëm të drogës. "Kjo e drogës nuk është betejë mes opozitës dhe qeverisë, ky është fundi. Drejtësia po heton ne i kemi ofruar gjithë mbështetjen tonë. Përgjegjësia politike e Edi Ramës është sot evidente në dritë të diellit për çdo shqiptar. Partia Demokratike kërkon sot dorëheqjen e Edi Ramës. Për të ndalur marshin ogurzi të narkotrafikut. Populli shqiptar nuk pranon të qeveriset as nga një qeveri kukull e krimit të organizuar as nga një qeveri e bërë njësh me narkotrafikun". E gjitha ngjarja sipas Lulzim Bashes është e papranueshme për opozitën, duke paralajmëruar kështu protestë ditën e enjte, për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Rama. "PD do udhëheqë protestën e pandalshme popullore deri në dorëheqjen e Edi Ramës. Këtë të enjte në orën 10:00 ftojmë qytetarët në një protestë popullore. Të ngrihemi në protestë për të ndalur kursin kriminal të oligarkisë së drogës. Të ngrihemi në këmbë më të bashkuar se kurrë për të çuar në shtëpi qeverinë e narkotrafikut". Dita e enjte, e zgjedhur për të nisur protestat është dhe dita e Parlamentit prandaj protesta do të zhvillohet në sheshin përpara Kuvendit. Partia Demokratike mbron kështu qëndrimin se ka qene e para që ka denoncuar historinë e trafikut të drogës nga ajri, trafik ky që sipas tyre tashme është i faktuar. Por Partia Socialiste e ka cilësuar deklaratën e selisë blu si të pabazë dhe për më tepër të pakuptimtë. Deputeti Taulant Balla gjatë një deklarate tha se vetëm demokratët mund të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, kur policia lufton krimin dhe trafikun dhe kur një ngjarje është ende nën hetim. Sa i përket akuzave se në çantat e pilotit të avionit të rrëzuar në Divjakë ka patur sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, Balla tha se sipas informacioneve që selia e PS-së ka, aty janë gjetur vetëm rroba.

Free Traffic Exchange