Asnjë legalizim pas 2009-s - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 4

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Mazhoranca përfundimisht ka vendosur se nuk do të legalizojë asnjë ndërtim pa leje të bërë pas 15 janarit të 2009-ës në tokë shtet apo në pronë të të tretave. Por opozita ka kundërshtuar këtë vendim me argumentin se qeveria tashmë po shkel kodin penal me të dyja këmbët pasi vepër penale konsiderohet edhe ndërtimi pa leje edhe në pronën tënde. Komisioni është detyruar që të sjellë në seancë një përfaqësues nga komisioni parlamentar i ligjeve për të shpjeguar arsyen përse legalizohen ndërtimet pa leje por në tokë të pronarit. Sipas deputetit Armando Subashi, veprat e ndërtimit pa leje në tokën tënde konsiderohen të fshira për shkak të amnistisë që parlamenti miratoi para disa javësh, sepse dënimi maksimal për to ishte deri në dy vjet burg, ndërsa për uzurpim të pronës së tjetrit apo shtetit ligji parashikon dënim me 5 vite dhe nuk kapen nga amnistia. Deputetët e opozitës kanë propozuar që agjencia që bën legalizimin e zonave informale të mos prekë fondin e mbledhur nga procesi i legalizimeve për shërbimet që do iu bëjë qytetarëve që kanë ndërtuar pa leje, pasi 30% që ALUIZNI do marrë nga ky fond u preket buxhetit të ish-pronarëve. Nëse bëhet një krahasim me rëndësinë që qeveritë në vite i kanë dhënë tre çështjeve kryesore: kthimit të pronave, legalizimit dhe rregullimit të territorit mund të shihet qartë edhe nga numri i stafit që kanë këto institucione. Kthimi i pronave ka 270 punonjës, agjencia e rregullimit të territorit 50 dhe ALUIZNI 1500.