http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Akuzat e shpeshta të deputeteve dhe medias lidhur me shpenzimet e pallogaritura të Bankës Qendrore e cila në kohë krize, ka dhënë rreth 95 milionë dollarë për paga, bonuse dhe kredi për punonjësit e saj kanë marrë për herë të parë përgjigje sot nga guvernatori Fullani. Varianti i Bankës së Shqipërisë lidhur me këto shpenzime është se ajo si institucion nuk përqendrohet në përfitime ekonomike, por në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit, dhe për këtë natyrisht që i duhet edhe një staf i mirë. Megjithatë në shenjë solidarizimi me krizën guvernatori deklaroi se asnjë pagë nuk është rritur më që prej vitit 2009. Guvernatori është pyetur edhe nga kreu i Komisionit te Ekonomisë Braçe se a ka patur penalizime për firmat të cilat kanë patur kontrata me bankën dhe nuk i kanë zbatuar afatet e tyre, duke marrë si shembull edhe kompaninë e cila tashmë duhet të kishte përfunduar punimet në godinën qendrore të bankës. Guvernatori mohoi çdo akuzë të bërë nga deputetët apo mediat lidhur me emërime nepotike në radhët e bankës, ai tha se për çdo pozicion banka ka zbatuar ligjin dhe rregulloren e brendshme, por dhe këto deputeti Erjon Braçe ka replikuar duke i thënë se në disa pozicione janë vendosur njerëz të cilët nuk kanë mbushur edhe moshën për të patur një post të caktuar. Guvernatori Ardian Fullani duke raportuar lidhur me situatën e konkurrencës në tregun bankar tha se 72% e këtij tregu është i përqendruar në dorë të pesë bankave. Sipas Bankës së Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë duhet të rritin më shumë transparencën si në tarifat e shërbimeve që ofrojnë, ashtu edhe në kostot që duhet të paguajnë qytetarët që kanë marrë një kredi.