http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
45 kompani që merren me tregtimin e karburantit janë gjobitur nga Inspektorati Qendror Teknik, pasi cilësia e naftës që ato kanë shitur për konsumatorin, ka qënë jashtë parametrave. E nëse ky veprim është një punë rutine e këtij institucioni, ajo që vlen të theksohet është se për herë të parë janë publikuar emrat e kompanive që kanë abuzuar. Më të ndëshkuarat janë kompanitë që operojnë në qytete të ndryshme dhe vetëm 10 prej tyre janë në qarkun Tirane, kryesisht në komuna dhe jo në qytet. Sipas të dhënave nga ky inspektorat, dy treguesit kryesor që ndikojnë në mjedis dhe në automjet, që janë pika e flakërimit si dhe përqindja e squfurit, kanë qene jashtë standardit. Ndërsa në një pjesë të mirë të tyre, kompanitë as nuk kanë mbajtur dokumentacion për këto dy tregues, e për pasojë janë gjobitur nga inspektorati. Gjobat e vendosura nisin nga 300 mijë në 1 milion lekë. Që do të thotë totali i shumës së gjobave të vendosura për 45 kompanitë arrin në 18 Milion lekë. Kontrolli i përket muajit prill të këtij viti. Çështja e publikimit të emrave të kompanive që abuzojnë me cilësinë u kthye në objekt debati mes institucioneve të cilat nuk i publikuan asnjëherë emrat e abuzuesve. Nga ana tjetër kjo çështje u kthye edhe në një objekt hetimi edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Kjo e fundit ka nisur hetimet në vëren e 2013 dhe ende nuk ka arritur në një konkluzion lidhur me këtë hetim.