http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Partia Demokratike për një ditë të vetme hoqi dorë nga marrëdhënia e kushtëzuar me Parlamentin duke marrë pjesë në diskutimet për marrëveshjen me Fondin Monetar Nderkombetar. Marrëveshja që ka dominuar debatin politik dhe publik të javëve të fundit ka vendosur në sallën e Kuvendit përballë njëra-tjetrës 2 filozofi të ndryshme ekonomike, qeverinë që sheh tek huaja prej 330 milion eurosh një instrument për zhvillimin e ekonomisë dhe opozitën që ve theksin tek kushtet e rënda që sipas saj sjell kjo marrëveshje. Kryeministri Edi Rama ka theksuar se edhe të ardhurat janë më të larta se ato të qeverisë paraardhëse, duke lajmëruar se këtë vit do të ketë rritje të ekonomisë. Sipas Ramës këto shifra kanë ndërtuar besimin e FMN-së tek institucionet shqiptare duke premtuar se nuk do të rriten taksat. Por për ish- kryeministrin Sali Berisha marrëveshja me FMN parashikon rritjen e 21 taksave pasi të ardhurat nuk janë në ato nivele që raporton shumica qeverisëse. Falë marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare do të marrë 330 milion euro kredi me një normë interesi prej 1.13%. Fondi do t'i jepet qeverisë përgjatë 3 viteve, ndërkohë që 110 milionë euro do të disbursohen ketë vit.