https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusT" />
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusT"/>
http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Këto nuk janë pamje të tregut të rrobave të përdorura në ndonjë qytet çfarëdo, por një panoramë e përditshme që ndeshet në rrugën muze "Justin Godart" në qytetin e Vlorës, e cila është shpallur Monument Kulture. Në këtë rrugë është kryer parakalimi I fitimtarëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, ndërsa shumë vite më vonë është xhiruar edhe mbërritja në Vlorë e Isa Boletinit në filmin "Nëntori i Dytë". Në këtë rrugë është edhe shtëpia ku u qëndis flamuri kombëtar nga vajza vlonjate, Marigo Posio, e cila ia dha Ismail Qemalit flamurin e përgatitur nga vajzat e Vlorës për këtë ditë të shënuar të historisë sonë. Nga kjo shtëpi muze sot nuk ka mbetur më asgjë. Ajo është e kyçur nga jashtë dhe në të nuk hyn më askush, pasi banesa është thuajse e amortizuar nga brenda. Për të ruajtur ndoshta simbolikën e kësaj shtëpie dhe kësaj rrugë në një ballkon ka një flamur kombëtar të harruar që nga 28 nëntori i kaluar, ndërkohë që banorët e kësaj rruge thonë se dikur kjo shtëpi ishte e vizitueshme. Ekzistenca e këtij tregu të rrobave të përdorura nuk është e re, pasi këtu tregtohet prej vitesh dhe bashkia nuk ka ndërmarrë asnjë përpjekje për të mos e lejuar këtë aktivitet ambulant të paligjshëm. Jashtë kamerave Drejtori i Shërbimeve Publike pranë bashkisë, Ardi Musta pohon se është parashikuar një aksion ndaj tregtimit të palicensuar në këtë, rrugë, por sipas tij ende nuk është përcaktuar se kur do të nisë ky aksion. Nga ana tjetër në Drejtorinë rajonale e monumenteve të kulturës në Vlorë thonë se do të hartohet një projekt i veçantë përmes të cilit rruga "Justin Godart" të kthehet në identitetin e vet, por nuk japin asnjë afat. Derisa bashkia të nisë aksionin dhe Monumentet e Kulturës të hartojnë e miratojnë projektet, ndoshta do të vijë 28 nëntori i radhës dhe sërish kjo rrugë dhe shtëpi muze do të jenë në po këtë gjendje, aspak tërheqëse për vizitorët.