Durrës, tensioni i lartë djeg pajisjet - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Dhjetëra familje janë dëmtuar nga djegia e pajisjeve elektroshtëpiake në lagjen 18 të Durrësit, gjatë kohës që intensiteti i rrymës elektrike është rritur në mënyrë të papritur mbrëmë. Bardhi Mema, është një prej personave më të dëmtuar nga djegia e pajisjeve për shkak të tensionit të lartë të energjisë elektrike. Një prej televizorëve ai e ka nxjerrë tashmë jashtë banesës, ndërsa të njëjtin fat ka pësuar edhe frigoriferi, i cili është në pritje të mbërritjes së teknikut. Po ashtu, atij i janë dëmtuar edhe pompa e ujit, e cila gjendet pas shtëpisë njëkatëshe, si dhe disa pajisje të tjera. Banorët e zonës, e cila njihet si ish-Fidanishtja, thonë se në kabinën elektrike nga ku furnizohen banesat e tyre janë vjedhur kabllot prej bakri dhe kjo ka bërë që tensioni të vijë 380 volt duke djegur shumë prej pajisjeve të tyre. Televizorë, frigoriferë, lavatriçe dhe gjithçka tjetër është dëmtuar në rreth 70 banesa në këtë lagje. Në lidhje me këtë, përfaqësues të kompanisë Cez Shpërndarje në Durrës shprehen se vjedhja e kabinave është kthyer në një problem shqetësues dhe tashmë kabllot prej bakri po zëvendësohen me kabllo alumini. Avdyl Koka, kryetar i degës së shitjeve, tha se në kontratën e CEZ nuk ka ndonjë klauzolë që parashikon çdëmtimin e qytetarëve, pasi dëmi nuk ka ardhur për shkak të paaftësisë, apo ndërhyrjeve të punonjësve të CEZ, por për shkak se kabllot janë vjedhur nga persona të tretë. Banorët e dëmtuar po mendojnë që të bashkohen për të bërë një padi të përbashkët në gjykatë duke kërkuar çdëmtimin e pajisjeve të djegura në shtëpitë e tyre.