http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Komisioni i disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit përjashtoi Bylisin e Ballshit nga superliga, duke e zbritur një kategori më poshtë, ndërsa presidenti i tij Besnik Kapllanaj u përjashtua përgjithmonë nga aktivitetet futbollistike. Vendimi ekstrem dhe i pari në historinë e kategorisë së parë shqiptare të futbollit u mor pas goditjes së zyrtarit të federatës Besnik Çela nga presidenti i Bylisit, Kapllanaj me sende të forta në javën e 24-t të superligës. Komisioni është treguar shumë i ashpër duke kërkuar të parandalojë në këtë mënyrë fenomene të tjera të dhunës.Sipas rregullores së aktivitetit, skuadrat që priten të luajnë me Bylisin deri në fund të kampionatit do t'i marrin pikët në tavolinë ndërsa rezultatet e ndeshjeve të Bylisit të luajtura deri tani ose pikët nuk ndryshojnë. Ndërkohë, pak orë më parë Besnik Kapllanaj, i shpallur në kërkim deklaroi se do dorëzohej në polici ndërsa jepte dorëheqjen nga presidenca e Bylisit.Nga vendimet e tjera të komisioni të disiplinës, zyrtari i Vllaznisë, Armir Grima për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të takimit u pezullua nga aktiviteti deri në fund të kampionatit. Ndërsa ekipet, Kukësi-Vllaznia Tirana dhe Besa për sjellje të gabuar të tifozerive të tyre dhe hedhje të sendeve të forta në fushe u dënuan me nga 50 mijë lekë gjobë.