http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ekonomia e vendit në 2014-ën parashikohet e zymtë nga të djathtët. Grafikët e paraqitur nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, tregojnë për një ulje të ndjeshme të të ardhurave dhe rritje të shpenzimeve, kryesisht në periudhën e parë të këtij viti, gjë që sipas tij do ta çojë vendin drejt recesionit. Sipas deputetit të PD-së, në tremujorin e fundit të vitit 2013, ecuria e rimbursimit të biznesit ka shkuar në nivelet më të ulëta. "Gjatë 9 muajve të parë të 2013-s pati rreth 8 milionë dollarë në muaj rimbursim, ndërsa tre muajt e fundit pati rënie në nivelet më të ulëta. I gjithë premtimi i qeverisë rezultoi në një demagogji dhe mashtrim për biznesin."Por, ekspertët e ekonomisë nuk mendojnë kështu. Sipas tyre, nuk mund të flitet për krahasim të shifrave të rimbursimit pasi në pjesën e parë të 2013-s, TVSH-ja ka qenë pjesë e skemave mashtruese dhe e kompanive fantazmë. Për mazhorancën deklarimet e opozitës janë të papërgjegjshme. Sipas përfaqësuesit ekonomik të PS-së, Ervin Bushati, ishte qeveria e mëparshme ajo që e zhyti vendin në borxhe, detyrime këto të cilat aktualisht po shlyhen nga qeveria Rama."Buxheti i qeverisë së re injekton në ekonomi vetëm gjatë vitit 2014 plot 1.1 miliardë dollarë; jo vetëm duke shlyer 350 milionë dollarë borxhet e krijuara nga qeveria e kaluar, por dhe duke investuar fort në ekonominë shqiptare." Sipas partisë Socialiste, qëllimi kryesor i qeverise aktuale është të rimëkëmbë ekonominë, që të ktheje besimin e investitorëve vendas dhe të huaj.