http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Rreth 3 muaj pas shpalljes së konkursit ndërkombëtar për projektin e "Lungomares" në Vlorë, që përfshin ndërtimin e një rruge pedonale për qytetarët dhe turistët përgjatë vijës bregdetare nga Pylli i Sotës dhe deri në zonën e ujit të ftohtë, sot në këtë qytet është zhvilluar konkursi për shpalljen e fituesit të studios projektuese, nga 5 të tilla të përzgjedhura për të qenë në konkurrimin final. Studioja fituese do të shpallet në mbrëmje, ndërsa gjatë ditës përfaqësuesit e tyre kanë prezantuar përpara një jurie të zgjedhur dhe qytetarëve projektet e tyre për ndërtimin e kësaj vepre 5 km të gjatë. Përpara fillimit të konkursit, kryeministri Rama e cilësoi këtë projekt, si shembull të strategjisë së zhvillimit që do të zbatohet jo vetëm në bregdet, por në gjithë vendin. Zhvillimi i konkursit për "Lungomaren" pason një periudhë disa javore të prishjeve të ndërtimeve pa leje përgjatë bregdetit dhe shëtitores së Vlorës nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik, që kulmuan me shembjen e kompleksit Jon në afërsi të Ujit të ftohtë, në pronësi të vjehrrit të kryetarit të PD, Lulzim Basha. Gjatë 3 muajve të fundit në këtë zonë u prishën dhjetëra ndërtime të tjera pa leje, që binin ndesh me projektin e qeverisë për bregdetin e Vlorës. Qeveria parashikon që projekti "Lungomare" të jetë gati brenda sezonit turistik të 2015-ës.