http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Seanca plenare ka marre një kthesë të papritur pasi në rendin e ditës është përfshirë jo vetëm shkarkimi i kryetares se Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka por edhe votimi i kryeinspektorit të ri. Maxhoranca ka argumentuar se një vit më parë në seancën e 21 janarit 2013 në kundërshtim me rregulloren nga dy kandidaturat e propozuara nga presidenti është hedhur ne votim vetëm Zana Xhuka dhe jo kandidati tjetër Shkëlqim Ganaj, duke theksuar se kjo shkelje duhet ndrequr. Por përfshirja e kësaj çështje në rendin e ditës ka ngritur në këmbë opozitën e cila ka deklaruar se ky është një skandal kushtetues. Në nëntorin e vitit të kaluar maxhoranca ngriti një grup kontrolli për ILDKP-në pas ankesave të punonjësve të këtij institucioni ndaj kryeinspektores Zana Xhuka. Grupi i kontrollit, pjese e të cilit opozita nuk pranoi të ishte hartoi një raport ku konstatohej pavlefshmëria e emërimit të Xhukës në krye të ILDKP-së pasi nuk plotësonte kërkesat e ligjit. Ky raport u miratua nga komisioni i Ligjeve së bashku me kërkesën për shkarkimin e Xhukës. Më pas 51 deputetë kërkuan shkarkimin e saj për shkak të emërimit në kundërshtim me ligjin, kërkesë kjo që u miratua 2 ditë më parë në komisionin e Ligjeve. Pas shumë diskutimesh parlamenti liroi nga detyra Zana Xhukën dhe miratoi me 75 vota pro në krye të ILDKP, Shkelqim Ganajn.