http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Bashkia e kryeqytetit pritet të rrisë tarifat e pastrimit për biznesin e vogël. Në projekt vendimin e paraqitur në këshillin bashkiak, që do të diskutohet dhe miratohet së shpejti, bashkia kërkon ndryshimin e nivelit të taksave duke i rritur ndjeshëm për disa kategori biznesesh. Nëse më parë kjo tarifë paguhej në bazë të xhiros vjetore, të kategorizuar nga 2 deri ne 10 milionë lekë në 10 grupe, me ndryshimet e reja pushteti vendor ka bërë një ndarje në vetëm dy të tilla. Në grupin e parë përfshihen bizneset me xhiro vjetore deri në 2 milionë lekë të rinj dhe në grupin e dytë bizneset që bëjnë 2 deri në 8 milionë lekë. Kjo bën që shumë biznese të vogla me xhiro mbi 2 milionë të paguajnë gati dyfishin e tarifës që paguhej më parë. Kështu p.sh, nëse një bar kafe me xhiro vjetore 3 milionë lekë, më parë i paguante bashkisë 6 mijë lekë, me propozimin e ri do të paguaj 10 mijë lekë. Ky projekt nuk është pritur mirë nga anëtarët e majtë të këshillit Bashkiak, duke e konsideruar si një vendimmarrje jo të drejtë për biznesin e vogël. Në këtë projektvendim vihet re se në vjeljen e tarifës nuk është marrë parasysh niveli i ndotjes që shkakton një aktivitet. Tabela tregon se për pastrimin më shumë do të paguajnë lokalet dhe restorantet se sa një fabrikë e përpunimit të produkteve farmaceutike, ose e përpunimit të mishit. Sipas këshilltares së majtë Barjaba, kjo ndarje e tillë është bërë në bazë të numrit të lartë të këtyre bizneseve dhe përfitimi nga kjo taksë nga ana e bashkisë. Për familjarët taksa e pastrimit nuk ka ndryshuar. Ajo mbetet 5000 lekë të reja në vit dhe do të mblidhet nga Ujësjellës kanalizimet. Por me ndryshimet e reja një familje do të paguajë 1500 lekë më shumë se një biznes i vogël me qarkullim vjetor 2 milionë lekë.