http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Viktor Gjeci është njëri prej fermerëve që autostrada i prek rreth 2 dynym e 300 metra tokë bujqësore. Ai shprehet se nuk është dakord me çmimin që është ofruar për tokën e tij, ndërsa për fshatrat ngjitur, po aplikohet një tjetër tarifë shpronësimi. Të tjerë fermerë nuk i kanë marrë dokumentet e pronësisë, ndërsa kërkojnë që shteti t'i dëmshpërblejë, duke respektuar pronën e tyre. Edhe drejtuesit lokalë në këtë komunë mbështesin kërkesën e banorëve për çmimin e dëmshpërblimit. Sipas prefektit të qarkut Fier, po zhvillohen takime mes fermerëve, zyrës së Regjistrimit të Pronave, firmës dhe pushtetit Vendor për të përfunduar në një kohë të shpejtë këtë procedurë të fundit, për të mos pasur problemet që janë hasur në këtë drejtim, në shpronësimet e akseve të tjera kombëtare në këtë zonë. Bajpasi i Fierit do të përshkojë lumin e Semanit dhe do të kalojë në perëndim të qytetit. Në këtë seksion është parashikuar ndërtimi i tre urave me gjatësi nga 80 m secila. Gjatësia e Bajpasit është 22 kilometra autostradë, ndërsa gjerësia e katër korsive arrin në 22 metra. Segmenti do të ketë 21 nënkalime mjetesh dhe hekurudhore, 4 nyje me dy nivele, dy gjysmë kryqëzime dhe dy zona me nga 25.000 m2 secila, për shërbime dhe pikë informacioni për turistët. Punimet civile do të financohen nga Banka Europianë për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europianë e Investimeve, me një vlerë prej 40 milionë euro, ndërsa Supervizioni i punimeve do të financohet nga Kooperacioni italian.