Voskopoja, një zonë në rrezik? - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Voskopoja është një ndër destinacionet më të vizituara për sa i përket turizmit malor. Vizitore vendas e të huaj janë kuriozë të shohin Voskopojën gjatë sezonit dimëror, për të shijuar dëborën, kalërimin, gatimet tradicionale voskopojare e gështenjat në prush, që janë pjesë e pashmangshme e mbrëmjeve të gjata pranë zjarrit të oxhakut e bisedave të këndshme. Është vend i parapëlqyer për të çlodhur mendjen, për të thithur ajrin e pastër, e për të kaluar ditë ndryshe nga të tjerat. Vizitori i sotëm, që shkel në truallin e këtij qyteti të dikurshëm, nuk sheh veçse një fshat të vogël, por edhe bazilika të shumta, pikturuar me aq shumë mjeshtëri. Atëherë bëhet ndoshta i vetëdijshëm se ecën mbi historinë e kulturës e të artit të zhvilluar, në këtë qendër historike të mesjetës së vonë. Dhe jo vetëm turistët e huaj, por edhe ato vendas, që nuk kanë pasur mundësinë të njihen me këtë ansambël monumentesh nga më të shquarit në Ballkan. Voskopoja turistike, bën pjese në thesarin kulturor botëror, prandaj është shpallur nga UNESKO, si një prej 100 qendrave monumentale më të rrezikuara. Megjithatë Voskopoja është vlerësuar nga shumë vizitorë të huaj e vendas me vlerësime maksimale. Në Voskopojë mund të ushtrosh edhe kalërimin, kjo vlen edhe për ata që e provojnë këtë eksperience për herë të parë në jetën e tyre. Përveç bazilikave, në Voskopojë, ekziston edhe manastiri i Shën Prodhromit. Ky manastir i shek.XVII është shumë i përmendur për mikpritjen që u ka rezervuar të gjithëve pa dallim feje. Si dikur edhe sot, është vend pelegrinazhi e shëtitjesh turistike, ku në 24 qershor kremton dhe festen e vetë tradicionale. Drejtuesi i Klubit të Kampistëve "Discover Albania" tregon për interesin e madh të vizitoreve mbi Voskopojën dhe paketat turistike që ajo ofron. Voskopoja ka qënë në qendër të vëmendjes edhe tek shtypi i huaj, ku janë ndalur mbi bukuritë e saj, duke përmendur këtu gazetën franceze "Le Monde", me një reportazh në 2005 e shumë të tjera që e kane renditur atë, si një nga destinacionet shqiptare që duhet vizituar.