http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Disa orë pas shpërthimit të eksplozivit në banesën e braktisur të Andon Mëhillajt, ndërmjetësit të bandës së tritolit në Vlorë, policia lokale ka shoqëruar 6 persona dhe pas verifikimeve i ka lënë ata të lirë. Shpërthimi në lagjen "28 Nëntori" ndodhi mbrëmë rreth orës 23:00 ndërsa nuk pati të lënduar. Sipas policisë, tritoli ishte vendosur në brendësi të banesës private dhe autorët duket e kishin si mesazh ndaj pronarëve të saj. Në fakt, familja e Andon Mëhillajt si dhe ajo e kushëririt te tij Genis Mëhillaj, janë larguar nga Vlora para se të dilte në skenë emri i vrasësit me pagesë, Julian Sinanaj. Për këtë arsye, personi që ka hedhur tritolin në shtëpinë e Mehillajt e ka ditur se shtëpia ka qenë e pabanuar, dhe sipas policisë e bën ngjarjen një paralajmërim tipik mafioz për kushërinjtë Mëhillaj. Andon Mëhillaj, emri i të cilit doli si sekseri i ekzekutimeve me pagese nga hetimet për vendosjen e eksplozivëve, është person i shpallur në kërkim nga policia. Sipas burimeve të policisë, nuk ka ende të dhëna për autorët e mundshëm të vendosjes së tritolit, që nuk ka shkaktuar dëme në banesat përreth. Policia po heton ndërkohë edhe për konfliktet e mundshme të familjes Mëhillaj, ndërsa afër banesës nuk ka pasur biznese që të mund të vëzhgoheshin kamerat e sigurisë.