http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kushdo që ka udhëtuar drejt jugut të vendit apo anasjelltas, nëpërmjet Shkozetit në afërsi të Durrësit, i ka fiksuar këto pamje prej më shumë se 10 vitesh. 4 vjet pas fillimit të punimeve për ndërtimin e bajpasit në këtë zonë, rrethrrotullimi mbetet sërish një vend i përhershëm i mbuluar me ujë, sa herë që ka shi dhe me pluhur dhe ndotje në stinën e verës. Për të disatën here kanë rifilluar punimet për përfundimin e bajpasit, ndërkohë që sipas firmës që po e zbaton projektin, problem është shpronësimi. Banorët e zonës shprehen se për këtë investim ka pasur një sërë problemesh, duke nisur nga shpronësimet dhe deri tek ndërhyrjet e personave të ndryshëm për devijimin e projektit në pikat ku ai parashikonte prishjet e ndërtesave. Ndërsa për drejtuesit e mjeteve që e përshkojnë përditë këtë rrugë, zgjatja e punimeve është një makth pa fund Investimi për bajpasin e Shkozetit, nisi në korrik të vitit 2009 dhe parashikonte ndërtimin e trasesë rrugore me gjatësi 7.5 km nga mbikalimi pranë superstradës Durrës-Tiranë deri në zonën e Plepave. Po ashtu, projekti përfshin edhe ndërtimin e mbikalimit në rrethrrotullimin e Shkozetit, një nyje kryqëzimi shumë e ngarkuar dhe mjaft problematike për qarkullimin e automjeteve. Investimi kap vlerën e 13 milionë eurove të dhëna nga Fondi Kuvajtian, duke pasur si afat për zbatimin e tij 22 muaj. Aktualisht punimet kanë filluar në zonën më problematike, për ndërtimin e urës në rrethrrotullimin e Shkozetit, e cila do të jetë e ngjashme pak a shumë si mbikalimi i ndërtuar tek kthesa e Kamzës në Tiranë. Sipas burimeve nga firma zbatuese e punimeve, ndërtimi i mbikalimit do të përfundojë brenda këtij viti, nëse nuk shfaqen probleme të paparashikuara.