http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
2 muaj pas marrjes së vendimit, Gjykata Kushtetuese ka publikuar në faqen zyrtare arsyetimin e plotë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ për nëpunësin civil. Në 41 faqet e vendimit të kushtetueses 5 anëtaret që votuan pro ankimit të PD argumentojnë se këshilli i ministrave ka përdorur aktin normativ në shkelje të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi ligjet me shumicë të cilësuar nuk mund të ndryshohen me dekret-ligje. " Gjykata vlerëson se i vetmi kuptim që marrin kërkesat procedurale dhe lëndore të parashikuara shprehimisht në normat e mësipërme kushtetuese, është se rregullimi i statusit të funksionarëve publikë përbën një fushë, rregullimi i së cilës i rezervohet ekskluzivisht Kuvendit, i cili e realizon këtë kompetencë përmes miratimit të ligjit me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të tij, nëpërmjet një procedure normale legjislative. Për rrjedhojë, shqyrtimi dhe miratimi i çdo çështjeje që përfshihet në sferën e rregullimit të këtij ligji, përbën vetëm rezervë të Kuvendit." Sipas Gjykatës Kushtetueses qeveria nuk ka qene ne kushte nevoje apo urgjence për të ndërhyrë në ligj me akt normativ. Por 4 anëtaret që kanë votuar kundër ankimit të opozitës kanë argumentuar në mendimin e pakicës se ligjet me shumicë të cilësuar mund të ndryshohen me akt normativ. Pakica ka sjelle edhe shembuj kur një akt normativ ka rënë ndesh me një ligj që është miratuar me shumicë të cilësuar siç ishte rasti i aktit për lirimin e banesave të ish-pronarëve. "Nga pikëpamja materiale, edhe një akt normativ që bën një rregullim ligjor të caktuar mund të bjerë ndesh me një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar. Kështu akti normativ nr. 03, datë 01.08.2012 "Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara", parashikonte në nenin 3 se gjykatat e shkallës së parë nuk mund të kryenin pezullimin e urdhrit të ekzekutimit, në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile që ia japin gjykatës këtë kompetencë. Sipas nenit 81/2, shkronja "d" të Kushtetutës, Kodi i Procedurës Civile është një ligj i miratuar me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit, pra një ligj i miratuar me shumicë të cilësuar. Në shqyrtimin e këtij akti normativ Gjykata nuk ka vlerësuar nëse parashikimi i nenit 3 cenonte parimet kushtetuese, megjithëse ky nen, duke ndaluar pezullimin e urdhrit të ekzekutimit nga gjykata, ndërhynte në tagrat e dhëna kësaj të fundit nga vetë Kodi i Procedurës Civile"