Ndryshon serish ligji për legalizimet - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 9

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Edhe pse të ndërgjegjshëm se procesi i legalizimeve është më tepër një çështje vullneti dhe dakordësie mes institucioneve qeveria do të ndryshojë sërish ligjin për legalizimin. Por këtë herë për të detyruar institucionet përgjegjëse që të japin informacione dhe të bashkëveprojnë. Trekëndëshi i krijuar mes Agjencisë së Legalizimeve, asaj të Kthimit të Pronave dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive krijuan një zvarritje të këtij procesi, i cili edhe sot pas më shumë se një dekade ende nuk ka marrë zgjidhje. Sot që flasim janë 280 mijë banorë që presin të legalizojnë pronën e tyre ndërsa, 90 mijë prej tyre kanë paguar paratë dhe kanë vite që presin të marrin në dorë lejen e legalizimit. Kryeregjistruesi, Ilirian Muho, tha se janë të panumërta rastet kur ALUIZNI ka kërkuar verifikim për statusin juridik të një prone, por nga ana e ZRPP-ve nuk është kthyer asnjë përgjigje. Për kreun e ALUIZNI-t faji kryesor në zvarritjen e këtij procesi e kanë institucionet. Gjyqe të shumta janë të hapura për shkak se ministria e Ekonomisë ka bërë privatizime në një tokë ku ka një pronë në proces legalizimi. Pas disa ditëve ministria e zhvillimit urban dhe territorit do të çojë për miratim në qeveri një projektligj, i cili do të detyrojë institucionet të japin në kohë dhe brenda afateve të gjitha informacionet për agjencinë e legalizimeve dhe do të synojë shkurtimin e procedurave.