http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Hekurudha shqiptare është në ditët e saj më të këqija, ndërsa neglizhencën e qeverive ndaj udhës së hekurt po e shfrytëzojnë edhe keqbërësit. Vjedhja e një sasie të konsiderueshme pjesësh metalike që mbajnë shinat e hekurit me bazamentet e trarëve, po çon në zëvendësimin e kunjave prej hekuri, me pyka prej druri. Hekuran Hoxha është njëri prej banorëve që e ka shtëpinë në periferi të qytetit të Fierit, shumë afër me linjën hekurudhore Fier-Lushnjë. Ai thotë se gjendja është kritike dhe se vazhdon e tillë prej dy vitesh. Siç shihet nga pamjet, në linjën hekurudhore Fier-Lushnjë, këto pjesë mund të hiqen lehtë me dorë, çka tregon për rrezikun e madh që ka për udhëtarët kjo rrugë e hekurt. Dhjetëra pllaka metalike mungojnë në vendet që lidhin traversat hekurudhore në këtë aks, ndërsa ato janë vjedhur dhe shitur për skrap nga persona të papërgjegjshëm, por që nuk mbajnë asnjëherë përgjegjësi për veprimet e tyre. Ky është i vetmi paralajmërim për drejtuesit e automjeteve dhe banorët e zonës për të treguar rrezikun që ka kalimi përtej shinave të trenit. Ashtu sikurse ka ndodhur edhe në shumë vende të tjera, postblloku me tre roje natë dhe ditë nuk ekziston më as në fshatin Shullaz të Kurbinit, në afërsi të ish-Superfosfatit të Laçit, një zonë e populluar nga disa fshatra. Që prej vitit 1992, kur në kryqëzimet mes rrugës së hekurt dhe asaj automobilistike u hoqën punonjësit që ndalonin kalimin në rrugë ndërsa po afrohej treni, edhe zona përreth shinave u bë edhe më e populluar dhe pasojat janë tragjike. Këto janë dëshmitë e kësaj situate ku papërgjegjshmërisë dhe mungesës së fondeve të strukturave shtetërore, i shtohet edhe pakujdesia e njeriut. Ky është vetëm një nga pikëtakimet e rrugës automobilistike me atë hekurudhore në vend, ndërkohë që në shumicën dërmuese prej tyre, nuk ka persona që paralajmërojnë kalimin e trenit, çka shpesh ka çuar edhe në aksidente tragjike.