http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Të rinjtë janë gjahu më i mirë i tregtuesve të lëndeve narkotike. Edhe pse të paligjshme, sot në Tiranë, në lagje dhe ambiente përreth shkollave, nuk është e vështirë të gjesh cigare me hashash dhe konsumues të tyre. Këtë 23- vjeçar nga Tirana e gjetëm pranë një shkolle profesionale të kryeqytetit. Nuk pranoi të identifikohet por s`hezitoi të tregoje se është përdorues i hashashit. Për herë të parë ka filluar ta konsumojë në moshën 16- vjeçare, në emigracion. Ndërsa hera e fundit ishte pikërisht sot, disa minuta para intervistës siç thotë vete ai, ndonëse nuk është vështirë të dallohet. Sipas këtij përdoruesi hashashin nuk është vështirë ta sigurosh. Një cigare me kanabis kushton 500 lekë të rinj. Ky 23- vjeçar nga Tirana pohon se shume të rinj dhe nxënës shkollash janë përdorues të hashashit. Mësues dhe drejtues shkollash pranojnë jo vetëm duhanpirjen nga nxënësit, por dhe konsumimin e hashashit. Sipas tyre, jo vetëm shkolla, por dhe policia duhet të ketë monitorim më të rreptë ndaj institucioneve arsimore. Të fundit që e marrin vesh janë prindërit. Në të shumtën e rasteve e mësojnë këtë fakt nga shkolla ose nga mjeket, në rast kur fëmija i tyre shfaq probleme shëndetësore nga konsumimi i hashashit. Sipas sociologeve ky fenomen nuk është i përhapur vetëm tek familjet me probleme sociale. Sot 30% e të rinjve, në gjimnaze, por dhe shkolla 9-vjeçare e kanë pirë të paktën një herë këtë lloj droge. Sipas mjekeve, përdorimi i kanabis është kthyer në problem aq sa çdo ditë tre pacientë, kryesisht të rinj shkojnë të intoksikuar në spital. Mosha e përdoruesve ka zbritur deri tek 10-vjeçarët. Përdorimi i hashashit tek të rinjtë iu rrezikon seriozisht shëndetin mendor dhe sistemin kardiovaskular. E nëse sot ky 23- vjeçar dhe shumë përdorues të kanabis nuk llogarisin pasojat, nesër do të jetë shumë vonë!