http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pasi ka qëndruar dy ditë në paraburgim, biznesmeni Ilir Karçini është sjellë sot në gjykatën e Krimeve të Renda, për t'u njohur me masën e sigurisë "arrest me burg", që ishte marre ndaj tij në mungesë. Seanca drejtohej nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila ka dhënë masat për të gjithë anëtarët e të ashtuquajturës "Banda e tritolit". Biznesmeni kishte zgjedhur si mbrojtës të tij ligjor ish-prokurorin e Përgjithshëm, tashmë avokat Theodhori Sollaku, që njihet edhe si mik i familjes së tij. Që në nisje të seancës, prokurori Ardian Nexha kërkoi që për shkak të sekretit hetimor masa të bëhej me dyer të mbyllura, kërkesë kjo që u pranua. Burime nga brenda seancës bëjnë me dije se edhe para togave të zeza biznesmeni Karçini nuk ka pranuar akuzën e bërë nga prokuroria duke pohuar se nuk ka lidhje me ngjarjet, për të cilat akuzohet, pra nuk ka porositur asnjë vrasje me pagesë dhe as nuk i njeh të arrestuarit për këto krime. Ndryshe nga të prangosurit e tjerë, të cilët akuzohen për akte terroriste, akuza e ngritur nga prokuroria ndaj biznesmenit ishte "sigurimi i materialeve dhe i burimeve për të kryer vrasje". Sipas dëshmisë së dhënë në polici nga vrasësi me pagesë, tashmë i penduar Julian Sinani, Karçini ka afruar 120 mijë euro për vrasjen e rivalit të tij në biznesin e hidrokarbureve Piro Bare. Nuk dihet nëse organi i akuzës do të mund të vërtetoje këtë dëshmi të dhënë nga i penduari ndërkohë prokuroria ka nisur një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor, qe ka ndikuar edhe në arratisjen e dy vëllezërve Genis e Andon Mehillaj, që duket se kanë qenë ndërmjetësit mes vrasësit dhe porositësve.