http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Jurgen Muçollari dhe Ledion Gjoka, janë dy të dënuar të burgut të sigurisë së lartë në Rrogozhinë që dyshohet të kenë vënë qëllimisht zjarrin në një nga qelitë e këtij burgu. Ata janë paditur nga prokuroria ndërkohë që ndaj tyre vazhdojnë hetimet për zjarr vënie me dashje. Nga flakët që përfshinë mbrëmë ambientet e këtij institucioni, u asfiksuan 21 të dënuar, ndërsa dy prej tyre ishin në gjendje më të rëndë por jashtë rrezikut për jetën. Të lënduarit u mjekuan në spitalin e Kavajës, ndërsa dy prej tyre që kishin më shumë komplikacione u transportuan për në Tiranë dhe Durrës. Mjeku i Spitalit të Kavajës, Agron Sejdini thotë se asnjë prej të shtruarve nuk paraqet rrezik për jetën. Ndërkohë, 78 të paraburgosur që gjendeshin në burgun e Rrogozhinës janë transferuar ditën e sotme në burgun Peqinit. Sipas informacioneve të para, mendohet se burimi i zjarrit të ketë qenë lenia e cigareve ndezur çka ka bërë që të marrë flakë dysheku në një nga dhomat dhe më pas flakët kanë përfshirë dhe dhomën ngjitur. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikëset e Durrësit, Lushnjës dhe Kavajës, Në Burgun e Rrogozhinës ka mbërritur sot paradite një ekip i Avokatit të Popullit ndërkohë që shumë familjarë të të dënuarve kanë shkuar atje për tu interesuar për të afërmit e tyre. Në një njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, thuhet se janë marrë masat për zhvillimin normal të aktiviteteve në burgun e Rrogozhinës, si dhe për të informuar të gjithë familjarët e personave të paraburgosur.