http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Qyteti i Gjirokastrës gjatë natës së kaluar, nuk ka qene aq i ndriçuar, siç duhet të ishte një qytet i vendosur në kodër. Ndërsa mund të themi se banorët atje janë kursimtarë të njohur edhe për energjinë, një pamje krejt tjetër është pak kilometra më tej në komunën e Lazaratit. Banorët e këtij fshati të njohur nuk e kursejnë energjinë elektrike, as në orët e vona të natës. Lazarartasit nuk e paguajnë energjinë elektrike, jo se nuk kanë para, por se shteti apo privati nuk ka qenë të aftë në këto 23 vite të vjelin detyrimet e energjisë në këtë zonë. Problematika e Lazaratit ka qenë një nga shqetësimet kryesore të grupit të task forcës për energjinë në Gjirokastër. Zv/kryeministri Niko Peleshi, tha se gjatë muajit shkurt, do të vihet re një rritje e ndjeshme e arkëtimeve të energjisë në Lazarat. Borxhi që qytetarët në Gjirokastër kanë për energjinë është 23 milionë dollarë, ndërkohë që vetëm në Lazarat ky detyrim është 15 milionë dollar. Lazarati ka gjithsej 700 abonentë familjarë të regjistruar, ndërsa vetëm 20-30 % e tyre i paguan faturat. Pavarësisht premtimit të Peleshit, mbetet të shihet forca e shtetit për të hyrë në Lazarat dhe bindur njerëzit atje të paguajnë detyrimet ndaj CEZ Shpërndarje. Komuna e njohur për problematikën e kultivimit të lëndëve narkotike ka qenë shpesh një territor i ndaluar për institucione dhe struktura të shtetit, që e kanë konsideruar deri më sot atë një zonë të izoluar. Vjedhjet e energjisë elektrike në Gjirokastër, e kalojnë shifrën e 40 %, ndërsa abuzuesit më të shumta janë sërish në komunën e Lazaratit. Zoti Peleshi ka premtuar ndërkohë se do të dërgohen para drejtësisë të gjithë ata që nuk e paguajnë abuzojnë me energjinë elektrike.