Fier, fëmijët romë braktisin mësimin - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Levani është një zonë njohur për komunitetin e madh të popullsisë rome, e cila pavarësisht projekteve dhe fondeve të shumta të shumë shoqatave ndihet e paintegruar dhe e braktisur. Por, shpeshherë përfaqësues të këtij komuniteti janë ata që i detyrojnë vetë fëmijët e tyre, të jenë të distancuar nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe kjo nis që me arsimimin e fëmijëve. Në shkollën 9-vjeçare të Levanit, mësojnë 400 fëmijë. 100 prej tyre janë fëmijë romë, por pjesa më e madhe e tyre e braktisin mësimin, pasi bëjnë dy apo tre vite shkollë. Drejtoresha e shkollës, Gazmira Bircaj thotë se pavarësisht politikave ndihmëse ndaj fëmijëve të këtij komuniteti, fenomeni i braktisjes së shkollës prej tyre nuk ka të ndalur. Mario është një prej pjesëtarëve të këtij komuniteti që ka shkuar në shkollë vetëm dy vjet, pasi familja e detyroi të dilte nga bankat në rrugë për të siguruar bukën e gojës. Ai sot është 16 vjeç dhe askush nuk e merr në punë, pasi nuk ka arsimin minimal. Prindër të fëmijëve romë pohojnë se janë të detyruar të tërheqin fëmijët nga shkolla, kryesisht për arsye ekonomike. Sipas tyre, qeveritë kujtohen për romët vetëm në kohë fushatash elektorale dhe më pas gjithçka harrohet. Ndërsa Latif Kazanxhi, përfaqësues i shoqatës së Komunitetit Rom thotë se fenomeni i braktisjes së shkollës nga fëmijët romë mund të ndërpritet, nëse qeveria sistemon me punë dhe shtëpi prindërit e tyre, një veprim që qeveria në fakt e ka për detyrim ta bëjë ndaj çdo shtetasi pavarësisht përkatësisë etnike. Vetëm gjatë këtij viti në shkollën e Mesme të Bashkuar "Dino Ismaili" Levan, numri i fëmijëve romë që kanë braktisur bankat e shkollës në arsimin 9-vjeçar është 16.