http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Disa nga banorët e Tiranës, preferojnë që gjithnjë fundjava e tyre, të mos i ngjajë asaj të mëparshmes, ndaj për këtë arsye të rritur e fëmijë i janë bashkangjitur këtij grupi profesionistësh për të arritur deri në majën më të lartë të malit të Krujës, në majën e Sari Salltikut 1134 m. Pothuajse i gjithë terreni është i shtruar me kalldrëm dhe pamja drejt ngjitjes është mahnitëse. Ky shteg ka shërbyer gjithnjë për t'i ngjitur krutanët në vendin e shenjtë të bektashinjve në Sari Salltikun, për të cilin qarkullojnë shumë legjenda. Ecja drejt malit të Krujës është parashikuar të shkojë rreth dy orë e gjysmë, me disa pushime të vogla për fëmijët guximtarë, të cilët nuk dorëzohen, edhe ata më të vegjlit 3- vjeçarët që i janë bashkangjitur këtij ekskursioni ditor. Veshjet dhe këpucët e atyre që ndjekin këtë aventurë janë të përshtatshme për ngjitjen në mal. Disa prej të apasionuarve të këtij lloj sporti e konsiderojnë si më te lehtën këtë ngjitje, fundja janë vetëm 500m. Në bisedat mes prindërve e fëmijëve duket qartë dëshira e këtyre të vegjëlve që të vijnë edhe herë të tjera, për të parë bukuritë e vendit të tyre e pse jo për t'i treguar shokëve e shoqeve që bashkë me prindërit këtë fundjavë kishin ecur shumë, ndoshta deri në lodhje, por që kishin parë aq shumë gjera të bukura, e që kanë fiksuar shumë momente interesante me aparatet fotografike. Të ngjitesh në mal dhe ta besh këtë tradite të fundjavës për këta njerëz është një gjë e kthyer tanimë në traditë, që me sa duket duan t'ja trashëgojnë medoemos edhe brezave të rinj. Destinacionet janë të panumërta, si alternative e fundjavës suaj.