http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
A e keni menduar ndonjëherë të bisedoni krah për krah me një mikun tuaj, ndonëse ai ndodhet qindra kilometra larg jush? Ky që shihni këtu është kolegu im Saimir Sulaj. Ai ndodhet në një qytet tjetër në këto momente, por falë teknologjisë së hologramës, kemi arritur ta sjellim atë këtu në Tiranë. Pas pesë vjetësh shkencëtarët thonë se kjo teknologji mund të jetë e integruar në celularët, kompjuterët ose tabletët tanë. Po flasim për një shpikje të re që pritet të sjelle revolucion në fushën e komunikimit. Projekti në fjalë është ndërmarrë nga kompania polake "Leia Display Systems". Emri është marrë nga personazhi i princeshës Leia, në filmin "Star wars", e cila u shfaq e para në hologram në vitin 1977. Por si realizohet sot një hologramë? Me teknologjinë aktuale, për të realizuar një holograme, një person duhet të ulet përballë një kamere speciale me dy lente dhe një mikrofon. Imazhet mbivendosen dhe krijohet efekti 3D. Ai transmetohet përmes internetit te personi që bën thirrjen. Më pas, një videoprojektor me lazer e rrezaton hologramin në një ekran me avuj uji. Studiuesit kërkojnë që këtë teknologji, ende ne fazat fillestare, ta integrojnë në kompjutera dhe celulare. Bisedat me hologramë do të revolucionarizonin jo vetëm komunikimin, por dhe shërbimet e profesionet. Një shembull për këtë ishte raportimi i gazetares së CNN gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008. Përmes hologramës ajo u shfaq nga Çikago në studion qendrore të CNN në Nju Jork. Në vitin 1973, kur u shpik celulari, shumë njerëz e cilësonin çmenduri idenë e të folurit në një distance të largët në telefon pa kabëll, përmes valëve. Sot ne qeshim me skepticizmin e atij brezi. E po sot, është koha të besojmë, te sfida e re shkencore, komunikimi përmes hologramës në celularët tanë. Një kapitull ky i komunikimit, që sigurisht nuk mbyllet këtu.