Përmbytje në Lezhë e Krujë, lumenjtë dalin nga shtrati - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Shirat e pandërprera të dy ditëve të fundit përmbytin zonat e Lezhës dhe Krujës. Qindra hektarë tokë dhe banesa janë mbuluar nga uji. Situata më e rëndë paraqitet në  Lezhë dhe veçanërisht në zonën e Zadrimës dhe dy komunat e saj Dajç dhe Blinisht. Dalja nga  shtrati e lumenjve Gjader dhe Drin, ka shkaktuar një situatë të pazakontë, madje më të rëndën e viteve të fundit, siç e cilësojnë drejtuesit vendorë në komunat e Lezhës. Banorët e gdhirë mes ujit flasin për dëme të mëdha në toka dhe blegtori. Sipas tyre  përmbytja ka qenë e menjëhershme dhe nuk kanë mundur të marrin masa. Drejtues të Bordit të Kullimit deklarojnë se për shkak të vërshimit të ujit të lumenjve përmbytja është e madhe. Zona të  prekura nga dalja e lumit Gjadër dhe Drin janë dhe  komunat Balldre, Shëngjin, Zejmen dhe Fushë-kuqe. Ndërkohë, hidrovoret raportohen të gjithë në gjendje pune.  Nga Shtabi i Emergjencave në prefekturën e Lezhës raportohen 150 banesa të përmbytura dhe 3500 hektarë toke nën ujë. Kreu i komunës Dajç, Gjergj Doci tregon se një përmbytje e tillë nuk është  parë prej shumë vitesh ndërsa tregon se kjo ka ardhur për shkak të mosfinancimit të projektit për rehabilitimin e lumit Gjadër. Mësimi në disa shkolla të fshatrave të përmbytur është pezulluar. Ndërkohë, probleme ka edhe në fushën e Torovicës, ku mbi 70% e sipërfaqes së saj është e mbuluar me ujë.  Kreu i komunës së Balldrenit, Zef Doçi, i kontaktuar nga Vizion Plus thotë se gjendja është kritike ndërsa në zonën e  ish-kampit të të burgosurve kalohet vetëm me varka. Edhe në Krujë, shirat e dendur kanë shkaktuar përmbytje, kryesisht në toka e të mbjella. Rreth 80 hektarë toke në fshatrat e komunës Bubq dhe Thumane janë nën ujë  ndërsa vetëm 10 banesa kanë probleme me përmbytjen. Drejtuesit vendore të komunave të prekura nga përmbytja deklarojnë se nuk kanë fonde për pastrimin e kanaleve kulluese. Shirat e dendur kanë përmbytur edhe komunën e Bushatit në Shkodër. Rreth 1500 toke bujqësore në fshatin Mali i Jushit është nën ujë, ndërkohë  shtatë banesa kanë probleme dhe dëme të konsiderueshme nga përmbytjet. Komuna e Bushatit po mban kontakte me banorët e prekur, ndërsa Shtabi i Emergjencave në prefekturën e Shkodrës po monitoron situatën edhe në zonat e tjera. Nën pushtetin e ujit ndodhen edhe 80 hektarë toke në fshatrat e komunës Bubq dhe Thumane në Krujë. Ndërsa, 10 familje janë të përmbytura. Drejtuesit vendore të komunave të prekura nga përmbytja kërkojnë ndihmë pasi ndihen të pafuqishëm financiarisht për të ndërhyrë.