Aventura e turistëve në Theth - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 8

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Parashikohej që ky dimër të largohej disi pa u ndier, por nuk po ndodh kështu, të paktën në zonat e thella të Dukagjinit. Një grup prej 11 turistësh mes të cilëve çekë, rusë dhe qytetarë nga Tirana dhe Shkodra udhëtuan këtë fundjavë drejt Thethit, me idenë se moti i mirë i ditëve të fundit nuk do t'i tradhtonte. Pasi kanë shijuar bukuritë e natyrës, vendet turistike dhe mikpritjen e veçantë, që është karakteristike e kësaj zone, kthimi drejt Shkodrës për pak sa nuk është kthyer në një tragjedi për ta. Në afërsi të Qafës së Thorës, bora e rënë brenda pak orësh kishte arritur trashësinë 80 centimetër dhe drejtuesit e mjeteve të larta janë detyruar që të kthehen mbrapsht, duke tentuar një rrugë tjetër, atë që përshkon komunat Shalë, Shosh, Pult dhe Postribë për t'u rikthyer në qytet. Por edhe kjo përpjekje ka rezultuar me rrezik pasi shiu i rënë kishte fryrë përrenjtë, të cilët kishin dalë nga shtrati duke vërshuar në rrugë. Ky ka qenë momenti kur turistët kanë kuptuar se aventura mund të jetë më e rrezikshme sesa ajo që mund të mendohej dhe janë përfshirë në panik. Një nga turistet çeke i ka kërkuar grupit që të ndalojnë aty duke premtuar se do të kërkonte ndihmën e ambasadës së vendit të saj në Tiranë për të dërguar një helikopter, por mikpritësi Lin Zorgji, banor i Thethit, me eksperiencë në këto përvoja, ka qetësuar gjithë grupin. Pjesë e kësaj aventure turistike ka qenë edhe një grup xhirimi i Vizion Plus, që ka filmuar këtë situatë gjatë gjithë kohës kur grupi ka qëndruar i izoluar. Për shkak të panikut, asnjë prej turistëve të huaj nuk ka pranuar të flasë në momentet e rrezikut, por pasi ai ka kaluar janë shprehur të kënaqur që çdo gjë ka shkuar mirë. Pavarësisht se ky grup turistësh ia doli të mos ketë asnjë problem nga ky udhëtim në Theth, aksi Bogë-Theth do të jetë i pakalueshëm deri në pranverë ndërsa lajmi i keq për banorët atje, është se bora vijon të bjerë me intensitet mjaft të lartë. Nga ana tjetër duket se drejtoria e Rrugëve Rurale, është gjetur e papërgatitur për këtë situatë. Gjatë gjithë ditës së hënë kur turistët kaluan këtë aventurë, nuk është parë asnjë borëpastruese apo mjet që përpiqej të mbante të hapur aksin Bogë-Theth. Nëse izolimi do të vazhdojë, ai do të krijojë probleme jo te vogla për banorët e zonës së Dukagjinit, duke filluar që nga ushqimi, deri tek pamundësia e lëvizjes me automjete.