http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ashtu si qytetaret edhe aleati kryesor i PS në qeverisje, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar transparence për çështjen e devijimit të lumit Radika. Kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili tha se LSI ka depozituar zyrtarisht kërkesën për interpelance me Ministrin e Jashtëm për t'i dhëne përgjigje shqetësimit qytetar për projektin e hidrocentralit në fushën e Lukovës në Maqedoni. "Projekti nga ana e palës maqedonase është një kundërshtim me marrëveshjen "Drini një vizion strategjik i përbashkët" e arritur në vitin 2011. Me këtë interpelancë bëjmë detyrën tonë ndaj pasurisë së përbashkët kombëtare. Bashkohemi me shqetësimet e mëdha të opinionit publik, i cili kërkon transparence", është shprehur Petrit Vasili. Të njëjtin qëndrim me këtë pjesë të mazhorancës ka mbajtur edhe opozita e cila nëpërmjet deputetit të Dibrës, Roland Keta, ka kërkuar nga qeveria transparence për ketë projekt. "Shurdhëria e qeverisë tonë para këtij shqetësimi në rritje të banorëve që preken drejtpërdrejt, por dhe gjithë qytetarëve dhe opinionit publik, e nxjerr qeverinë shqiptare në rastin më të mirë të paaftë për të kuptuar rëndësinë dhe përmasat e asaj që po projektohet nga pala maqedonase". Por qeveria nëpërmjet ministrit Damian Gjiknuri ka theksuar se zyrtarisht ende nuk ka asnjë projekt, duke sqaruar se kjo çështje rregullohet qartë në bazë të marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare. Një ditë më parë në Tirane dhe në Peshkopi u organizuan protesta kundër projektit maqedonas për hidrocentralin e Lukovës, projekt që parashikon edhe devijimin e lumit Radika që ndikon në 4 hidrocentralet shqiptare të ndërtuara mbi Drin.