http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
65-vjeçarja, Zylfie Mullalli është një pensioniste nga Elbasani që vuan nga veshkat që prej 20 vjetësh. 9 vjet më parë, sëmundja iu rëndua së tepërmi dhe ajo u detyrua që t'i nënshtrohet terapisë së hemodializës. Tre herë në javë, ajo merr taksi dhe shkon në spitalin rajonal për të marrë trajtimin e domosdoshëm, ndërkohë që për t'u kujdesur për të pasi ajo ka problem edhe me këmbët, atë e shoqëron bashkëshorti i saj. Rituali i përhershëm të martën, enjten dhe të shtunën, është rruga nga periferia e qytetit për në spital dhe sërish kthimi me taksi, pasi e moshuara e sëmurë nuk mund të përdorë shërbimin urban dhe ka nevojë për përkujdesje shtesë. Shpenzimet për taksinë shkojnë 6 mijë lekë në muaj, ndërkohë që shteti i rimburson asaj vetëm 2 500 lekë, pasi nuk mund të sigurojë transportin me ambulancë. Zylfia thotë se merr para borxh për të vazhduar kurimin. Ndërsa bashkëshorti i saj Sulejmani, thotë se veç pensioneve, familja e tij nuk ka asnjë të ardhur tjetër. Në spitalin e Elbasanit janë gjithsej 64 persona që kryejnë dializën, ndërkohë që ky numër po rritet përditë e më tepër nga pacientë nga e gjitha juglindja e vendit, Korça, Pogradeci etj. Zheni Gjergji, shefja e repartit të hemodializës thotë se spitali nuk mund të sigurojë transportin për të gjithë ndërsa shton se shpenzimet për këtë kategori të sëmurësh janë të mëdha. Sipas zonjës Gjergji, trajtimi i kësaj sëmundje kërkon më shumë fonde dedikuar posaçërisht kësaj kategorie pacientësh, të cilët në shumë raste në pamundësi të marrjes së këtij shërbimi jetësor në spitalet tona, shkojnë edhe në Maqedoni apo Greqi.