http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pas katër dekadash, Kina kthehet për të investuar në ekonominë shqiptare. Në një takim me ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, delegacioni zyrtar i këtij vendi të largët, shfaqi dëshirën për të vazhduar ndërtimin e Rrugës së Arbrit, ndërkohë që burime nga kjo ministri thonë se në tavolinë janë diskutuar edhe dy projekte të tjera: dhënia me koncesion e Hekurudhës dhe Portit të Shëngjinit. Ky i fundit shihet nga pala shqiptare si një pikë strategjike për kalimin e mallrave që vijnë nga Lindja dhe nisjes së tyre drejt Evropës. Nisma e dytë, që ka nisur qeveria shqiptare për nxitjen e bashkëpunimit me shtetin e Kinës, janë negociatat për heqjen e çmimit te referencave me Kinën dhe Turqinë. Kështu çdo mall që blihet në këto dy vende, nuk do të ketë më një çmim të vendosur nga shteti shqiptar dhe në bazë të tij të paguhet dogana, por mjafton vetëm fatura që sillet prej andej. Që prej vitit 2006 dhe deri tani, shkëmbimet tregtare me Kinën janë dyfishuar, duke e vendosur atë në vendin e katërt sa i përket listës së partnerëve tanë tregtarë. Nga ana tjetër, investimet e bizneseve të këtij vendi në Shqipëri janë modeste. Deri në fund të 2013-ës numërohen vetëm 83 sipërmarrje kineze të regjistruara pranë QKR-së.