Energjia-CEZ: Korça e para për arkëtimet, Shkodra problem - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Qytetarët korçarë janë nga të paktet në Shqipëri që paguajnë rregullisht energjinë elektrike të konsumuar. Aq të rregullt janë, sa vetëm një ditë pasi iu vjen në shtëpi fatura e shpenzimeve të energjisë elektrike, ata paraqiten në zyrat e CEZ-it për të kryer pagesën. Madje, ata shkojnë deri atje sa kur fatura nuk ju vjen në datën e caktuar, paraqiten vetë në zyrat e Kujdesit të Klientit, për të bërë pagesën e radhës. Sepse, siç thotë Vasil Kasapi, ata duan të jenë korrekt me shtetin. Vasili është 82 vjeç, por para së gjithash kërkon të shlyejë të gjitha faturat edhe për atë që, siç thotë ai, korçarët gjithnjë kanë treguar se janë korrekt me detyrimet. Në Korçë ka shumë qytetarë që kanë rezerva për ardhjen në kohën e duhur të faturave nga ana e postës. Sipas specialistes së zyrës së Kujdesit për Klientin në Korçë, Nertila Kurti, arkëtimet për energjinë elektrike janë në kuotat më maksimale. Në fakt, korçarët gjithnjë kanë treguar se duan të jenë korrekt me shtetin, ndaj dhe për këtë vihen në radhë për të paguar. Dhe jo vetëm faturat e energjisë elektrike, por edhe faturat dhe detyrimet e tjera ndaj shtetit, sepse si nikoqirë të mirë që janë, e dinë fort mirë që çdo gjë që paguhet me vonesë, ka edhe një kamatë përmbi detyrimin. Një panoramë krejt tjetër është në veri të vendit në qarkun e Shkodrës, nga më problematiku, sa i takon arkëtimeve dhe humbjeve të energjisë elektrike. Sipas të dhënave nga drejtuesit e CEZ-it atje, qytetarët jo vetëm nuk vrapojnë për të paguar detyrimet ndaj kësaj ndërmarrje, por i shmangen atyre prej vitesh. Këtë praktikë në fakt ndjekin edhe ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore. Sipas të dhënave, privatët janë debitorët më të mëdhenj tek CEZ, ndërsa numri i atyre që nuk e paguajnë energjinë arrin në 3500 konsumatorë. Por nga këto, 199 prej tyre janë borxhlinjtë më të mëdhenj ndaj kësaj ndërmarrje, privatë dhe institucione shtetërore, me një shumë prej 40 milionë lekësh. Konsumatorët privatë përbëjnë 30 % të debitorëve, ndërsa borxhi i tyre shkon deri në disa qindra mijë lekë. Drejtuesit e rinj të CEZ-it në Shkodër po shikojnë mundësinë e ndërprerjes së energjisë për klientët që nuk e kanë paguar atë në vite, ndërkohë që do të vazhdojnë kontrollet edhe për konsumatorët që e vjedhin energjinë.

Free Traffic Exchange