http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ekipi përfaqësues i Kosovës në futboll do të lejohet që shumë shpejt të luajë ndeshje miqësore, pas një vendimi të marrë këtë të hëne në mesdite ne selinë e FIFA-s në Zyrih nga Komiteti i Emergjencave i këtij institucioni. Vendimi i paralajmëruar nga mediat ne Prishtine në ditët e fundit, duket se ka qene konkluzioni i takimit të mbajtur të premten më datë 10 janar në Zyrih mes Presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokri dhe homologut serb Tomislav Karaxhic, në praninë e kreut të FIFA-s Sep Blater. Siç njofton gazeta e famshme sportive franceze "L'Equipe", mes palëve është arritur një marrëveshje që përfaqësuesja e Kosovës të zhvillojë për një kohë të pacaktuar ndeshje miqësore ndërkombëtare brenda dhe jashtë fushe, por me disa kufizime. Konkretisht, përfaqësuesja e këtij vendi nuk duhet të këndojë himnin në zhvillimin e ndeshjeve miqësorë, si dhe nuk duhet të përdorë simbolet shtetërore. Por një nga pikat kryesore të paktit, është ajo që kjo skuadër nuk do të mund të zhvillojë ndeshje me përfaqësueset e vendeve që kanë dalë pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Federata e Futbollit të Kosovës duhet të kënaqet për momentin me faktin se nuk duhet të marrë leje nga Federata Serbe për zhvillimin e miqësoreve, ndërsa për njohjen zyrtare nga FIFA dhe UEFA duhet të pritet anëtarësimi i vendit në OKB.