Administrata, 8 ditë pa paga - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-25 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Përveçse problem, po kthehet edhe në traditë. E gjithë administrata publike ka mbetur pa paga. Në ditën e 8 të muajit janar mijëra mësues, mjekë, infermierë, policë, pensionistë, punonjës të ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore nuk kanë marrë ende pagën e muajit dhjetor. Të shqetësuar, por të rezervuar para kamares arsimtare, efektive të policisë, drejtues dikasteresh e cilësojnë jo normale këtë situatë që sipas tyre po përsëritet çdo fillim viti. Për shkak të pagës së ulët apo vendit të punës, ka nga ata punonjës që nuk ngurojnë ta shprehin publikisht shqetësimin për vonesat e pagave. Por ndrojtja për të pohuar të vërteten i ka detyruar disa punonjës kryesisht mjeke e infermiere t'i shmangen përgjigjes. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se vonesat janë shkaktuar nga vetë institucionet të cilat kanë dorëzuar me vonese listë-prezencën e pagave në degën e thesarit. Sipas dikasterit të financave kjo procedurë duhej të mbyllej në fund të dhjetorit, ndërkohë që po kryhet pas festave të fundvitit. Mësohet se thesari ka nisur veprimet për likuidimin e arsimtarëve, punonjësve të shëndetësisë dhe një pjese të pensionistëve. Nderkohë efektivet e policisë do të presin më gjatë pasi ministria e tyre sipas financave, ende nuk ka dorëzuar listën e pagave. Megjithatë pritet që deri në fund të kësaj jave të shpërndahen rrogat për të gjithë buxhetoret. Pavarësisht argumenteve të institucioneve zyrtare, kjo vonese e përsëritur vjen për mungesë të masave pasi festat nuk duhet të penalizojne punën e as pagën e mijëra punonjësve.