http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Edhe pse ditë janari, moti është treguar bujar me këta pleq të qendrës së të moshuarve në Fier, pasi dielli gjatë ditës hyn me tepri në dhomat e tyre. Ndërsa në ditët e tjera, ata janë të detyruar që për ngrohje të përdorin mjete elektrike, pasi sistemi i ngrohjes me kaloriferë nuk funksionon prej 10 vitesh për shkak të pamundësisë së blerjes së naftës. Ernest Koka, 74 vjeç, është njëri prej 60 banorëve të kësaj shtëpie të moshuarish. Ai ka qenë gjyqtari i futbollit për kategorinë e parë dhe më pas trajner boksi. Si gjithë të tjerët, problemin e ngrohjes e ka zgjidhur me korrent ndërsa thotë problem janë dushet, si dhe ndërtesa e amortizuar. Çarjet dhe plasaritjet e murit duken edhe në kuzhinën ku gatuhet për këta të moshuar. Drejtoresha e kësaj qendre, Vasilika Mengjezi, pohon amortizimin që godina ka pësuar në vite, si dhe mungesën e ngrohjes prej vitesh. Ndërsa as drejtoresha nuk e di nëse do të ketë një ndryshim të gjendjes në këtë shtëpi të moshuarish, ata do të vazhdojnë të ngrohen me korrent, duke rritur edhe më shumë borxhin e këtij institucioni ndaj CEZ-it. Ndoshta deri në zgjidhjen e këtij problemi, dikush do të kujtohet se ngrohja më e kushtueshme është ajo me korrent dhe më mirë sesa të paguajnë faturat ndaj CEZ-it ia vlen që këto para të shpenzohen për naftë apo në një sistem më pak të kushtueshëm ngrohjeje.