http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Festa e Vitit të Ri në Gjirokastër veçohet edhe për traditën ende të ruajtur të vizitave që banorët bëjnë në shtëpitë e njëri - tjetrit duke uruar për një vit sa më të mbarë. Kjo traditë karakteristike e kohës së para viteve 1990 bënte që grupe-grupe këta vizitorë të takoheshin në 5 rrugët e "Qafës së Pazarit" karakteristik, aty ku ky urim thuhej më shumë se në çdo rrugë apo lagje të qytetit. Por sot ndodh ndryshe dhe tradita e këtyre vizitave duket se mbijeton vetëm nga çiftet e të moshuarve. Të 5 rrugët e "Qafës së Pazarit" karakteristik janë të heshtura dhe pothuajse të boshatisura. Në një nga rrugicat e lagjes Palorto takojmë bashkëshortët Musta, të cilët edhe këtë vit shkojnë për urim tek komshinjtë në krye të sokakut ku ata jetojnë. Sedat Kotroçi i zoti i shtëpisë pohon se është zakon jo vetëm i veçantë por edhe i bukur ky i këmbimit të vizitave me rastin e festës së Vitit të Ri. Qerasjes tradicionale të ditëve të zakonta në këto vizita specifike i shtohet edhe ëmbëlsira tradicionale e Vitit te Ri, bakllavaja për të cilat veçanërisht gratë janë më të interesuara që ajo të dalë sa më cilësorë. Tek shikon rrugët e qytetit të heshtura në ditët e para të vitit 2014, mendon se gjithçka nga tradita e dikurshme i ka lënë vendin aktuales dhe modernitetit. Por në lagjet karakteristike të këtij qyteti të gurtë, ashtu siç mbrohen shtëpitë karakteristike, mbrohet njëkohësisht ende një ndjenjë kaq elegante e traditës, siç është miqësia dhe bashkë me të edhe urimi i çdo fund viti.