http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një tjetër i ri humb jetën në minierat e braktisura të Lozhanit në zonën e Korçës. 27-vjeçari Mirjan Bushi ka gjetur vdekjen gjatë përpjekjeve për të nxjerrë skrap nga thellësitë e minierave. Mësohet se i riu ka hyrë pasditen e së dielës në galeri dhe nuk ka mundur të kontaktojë më me të afërmit e tij. Moskthimi në shtëpi ka alarmuar familjarët, të cilët më pas lajmëruan policinë dhe kjo e fundit grupin e shpëtimit. Operacioni ka zgjatur për orë të tera. 27-vjeçari Bushi kishte hyre në 700 metra thellësi dhe gjatë gërmimeve galeria ishte shembur dhe një masiv i madh gurësh kanë rënë mbi të. Të afërm të tij dhe banorë të zonës tregojnë se gjendja e vështirë ekonomike e familjes e detyruan Mirjan Bushin të hynte për skrap në minierë. Banorët i bëjnë apel institucioneve përgjegjëse për mbylljen e minierave të braktisura, të cilat po marrin vetëm jetë njerëzish. Pak kohë më parë, 5 të rinj nga i njëjti trung familjar humbën jetën tragjikisht në minierën Beragozhdit në Pogradec teksa nxirrnin skrap. Pas tragjedisë galeria u mbyll, por dhjetëra miniera të tjera në juglindje e jo vetëm, janë të hapura dhe rrezik për banorët që i shohim si alternative fitimi.